Kryeministri
Sali Berisha theksoi sot se koalicioni PD-LSI ia doli të realizojë me
seriozitetin më të madh programin dhe premtimet e tij.
Në mbledhjen e grupit parlamentar të Partisë
Demokratike, shefi i qeverisë përshëndeti përvjetorin e krijimit të
koalicionit qeverisës me Lëvizjen Socialiste për Integrim. “Përshëndes
në emër të maxhorancës të gjithë ata drejtues dhe veprimtarë të forcave
politike të këtij koalicioni për vendimin e shkëlqyer që morën 1 vit më
parë, për t’i dhënë vendit qeverinë me spektrin më të gjerë të mundshëm
dhe për të mobilizuar në qeverisje forcat më eficente”, tha Berisha.
Kreu
i ekzekutivit veçoi promovimin e mëtejshëm të reformave ekonomike, si
mekanizëm kryesor për një zhvillim të qëndrueshëm të vendit edhe në
kohërat më të stuhishme të financave dhe ekonomisë botërore. Mbajtja dhe
respektimi i parimeve të mëdha të kohezionit social edhe në kushtet e
vështirësive më të mëdha, sipas kryeministrit dëshmoi se koalicioni jo
vetëm ia doli t’u përmbahet parimeve të shpallura, por përcaktoi në
veprimtarinë e tij një perspektivë afagjatë të madhe në interesin më të
mirë të qytetarëve shqiptarë.