Moskë -
Rusia pret një rifillim të shpejtë të negociatave mes fuqive të mëdha
dhe Iranit lidhur me programin e shumëpërfolur bërthamor.
"Presim që një takim i ri mes shefes së BE-së për
diplomacinë, Catherine Ashton dhe të krerëve politikë të grupit të ''Të
Gjashtëve'' me partnerët iranianë të zhvillohet sa më parë të jetë e
mundur", deklaroi zëvendësministri i Jashtëm rus, Serguei Riabkov, i
cili citohej nga Interfax.
"Kemi të qartë se vonesa e
paraqitur nga iranianët është e dyta deri në gusht dhe nga ana e të
Gjashtëve, ku përfshihet Kina, SHBA-ja, Franca, Britania e Madhe, Rusia
dhe Gjermania, nuk besoj të ketë kundërshtime për organizimin e shpejtë
të një takimi", theksoi ai.
Nga ana tjetër, Irani shprehet se
është i gatshëm të rinisë në shtator negociatat me Grupin '5+1' lidhur
me programin bërthamor, por kërkon një angazhim mbi objektivin për
dialog.
"Ndërkohë që objektivi i negociatave do të jetë i qartë,
Republika Islamike e Iranit (...) do të jetë e gatshme për diskutime për
forcimin e bashkëpunimit ndërkombëtar dhe eliminimin e shqetësimeve të
përbashkëta lidhur me programin bërthamor'', shkruante në një telegram
drejtuar Ashtonit, kryenegociatori iranian i dosjes, Said Jalili.