Zyrtarët e
lartë të Bashkimit Evropian, Herman Van Rompuj dhe Ketrin Eshton, kanë
dënuar sulmin e djeshëm në pjesën veriore të Mitrovicës dhe kanë
shprehur shqetësim për “incidentin tragjik dhe krejtësisht të
panevojshëm”.
Presidenti i Bashkimit Evropian, Van Rompuj, ka
kërkuar kthimin e menjëhershme të paqes dhe u ka bërë thirrje të gjitha
palëve që të sillen me përgjegjësi maksimale.
Ndërsa shefja e
BE-së për politikën e jashtme dhe sigurinë, Ketrin Eshton, përmes një
deklarate i ka bërë thirrje Policisë së Kosovës, që me mbështetjen e
EULEX-it, të hetojë incidentin dhe të sigurojë që autorët të nxirren
para drejtësisë. Ky mesazh i shefes së diplomacisë së Bashkimit Evropian
u është dërguar edhe autoriteteve më të larta të Republikës së Kosovës.