Tiranë – Anëtarët socialistë të Komisionit të Ligjeve braktisën sot mbledhjen ku po shqyrtoheshin relacionet për dekretet e Presidentit të Republikës, mbi emërimet e tre anëtarëve të rinj të Gjykatës së Lartë.
Përkatësisht, emrat e tre anëtarëve të rinj janë Medi Bici, Sokol Çomo dhe Vexhi Muçmataj. Para shqyrtimit të relacionit për tre dekretet, deputetët opozitarë kërkuan shtyrjen e tyre për ditën e hënë, por kjo u kundërshtua nga maxhoranca.
Nënkryetari socialist i komisionit Fatmir Xhafaj u shpreh, se komisionit i duhet dhënë legjitimiteti i duhur. Ndërsa deputeti tjetër i PS-së, Pandeli Majko e quajti fyes qëndrimin e shumicës ndaj tre kandidatëve për anëtarë të Gjykatës së Lartë.
Emrat e propozuar nga kreu i shtetit për postet vakante në institucionin më të lartë gjyqësor në vend gjatë kësaj jave u dëgjuan në seanca të veçanta në komisionin e ligjeve, ku deputetët i drejtuan pyetje lidhur me karrierën e tyre profesionale, integritetin e tyre në gjyqësor, etj.