Kristian
Wulff, 50 vjeç, i partisë konservatore CDU të Angela Merkelit dhe i
konsideruar për një kohë të gjatë si një rival potencial i kancelares do
të zgjidhet sot president i Gjermanisë pas një karriere të gjatë
politike.
Një politikan i lindur me mendje të kthjellët dhe
i drejtë, i cili preferon më shumë tonet e qeta. “Unë dua të jem
kryeministër i të gjithëve në Saksoninë e Ulët, dua që shumë gjëra t'i
bëj më mirë, nëse ato duhen përmirësuar urgjentisht. Unë dua të jem një
kryeministër i mirë.“ Me këto fjalë në fillim të vitit 2003 e nisi
Kristian Wulff mandatin e parë si kryeministë ri Saksonisë së Ulët. Për
këtë post ai kishte pritur gjatë. Dy herë pati dështuar ai në garën
elektorale për zgjedhjet parlamentare të landit kundrejt rivalit Gerhard
Schröder, i cili më vonë u bë kancelar.
Kristian Wulff lindi në
vitin 1959 në Osnabryk, ku u rrit në rrethana jo fort komode. Prindërit e
tij u divorcuan shpejt, nëna e tij u sëmur rëndë dhe ndërroi jetë, në
një kohë që djali i saj ishte adoleshent. Wulff-it iu desh të marrë
përgjegjësinë për familjen, ndaj më vonë ai do të thoshte - kjo më ka
karakterizuar duke më bërë ndoshta më serioz se njerëzit e tjerë. “Mua
më ka ecur pak ters. Ka njerëz, që shkëlqejnë në media, tërheqin
vëmendjen dhe janë të afrueshëm. Unë për veten time kam ndjesinë, që
kudo që jam hyj në kontakt me njerëzit, kuptohem me ta, por që
ndonjëherë në media dukem shumë i fortë, shumë serioz, i rezervuar e
ndoshta ndonjëherë edhe i distancuar. “
Fillimet e karrierës politike - Ambicie për politikën
federale dhe parketin ndërkombëtar Wulff-i
ka rënë shpejt në kontakt me politikën. Qysh në kohën e shkollës ai ka
qenë kryetar i unionit federal të shkollave. Më vonë ai ishte anëtar i
Këshillit të Qytetit si përfaqësues i kristiandemokratëve në vendlindjen
e tij Osnabryk. Atje ai studioi në fakultetin juridik dhe më pas u bë
avokat në një zyrë avokatie.
Politkanëve të landit Wulff shumë
shpejt i tërhoqi vëmendjen si i zellshëm dhe profesionist. Tipare këto,
që kancelarja Merkel i vlerëson: “Kristian Wulff nuk është nga ata, që
mbrëmjeve qëndrojnë deri vonë me miqtë në lokalin e preferuar, sepse ai
gjithmonë bën përgatitjet për ditën e nesërme.“
I përgatitur
mirë, i drejtë dhe me mendje të kthjellët - kështu e përshkruajnë shokët
e partisë dhe miqtë 50 vjeçarin Wulff. Të tjerë e cilësojnë atë si të
ngurtë dhe jo interesant. Ai i zhvillon bisedimet me qetësi, por është
këmbëngulës. Sigurisht edhe kjo një arësye përse Saksonia e Ulët kryesoi
së fundi në luftën disa vjeçare për pushtet mes Porsche-s dhe
Folksvagenit (VW).
Prej vitesh thuhet, që Wulff ka ambicie për t'
u ngjitur në politikën federale. Por ai vazhdimisht ka thënë, se do të
qëndrojnë në landin e tij - së fundi këtë ai e deklaroi pas dorëheqjes
së Roland Koch, kryeministrit kristiandemokrat të landit të Hesenit.
“Unë
jam mjaft i motivuar dhe kam kënaqësinë që jam kryeministër. Unë dua të
mbetem i tillë për një kohë të gjatë. Ky është pozicioini, që kam unë
në punën time politike, në të ardhmen time politike. “ Pavarësisht
lidhjes me vendlindjen e tij Wulff-i preferon të jetë i pranishëm në
parketin ndërkombëtar. Si kryeministër ai shpesh herë udhëton drejt
Kinës. Vjeshtën e kaluar ai shkoi edhe në SHBA. Atje ai, që në
përgjithësi është një politikan perfekt, tregoi dobësi - i duhet ende të
punojë me anglishten./dw/start/