Brazili
do të ketë një përballje deri diku të lehtë sot në mbrëmje përballë
Kilit, por skuadra e drejtuar nga Karlos Dunga i druhet shumë asaj të
Bielsës.
Arsyeja
lidhet me futbollin e treguar nga kilianët në këtë Botëror. E
megjithatë, statistikat në favor të Brazilit janë të frikshme. Pesë herë
kampionët e botës kanë fituar 8 përballjet e fundit me Kilin, ndërsa
nuk humbasin ndaj tyre që prej kualifikueseve të Kupës së Botës 2002.
Veç kësaj, që kur në krye të Seleçaos është Dunga, pra që nga gushti
2006, Brazili ka fituar pesë herë rresht, duke u shënuar 20 gola
rivalëve, 6 prej të cilëve nga Robinjo. "Statistikat nuk kanë asnjë
vlerë, do të jetë një ndeshje e fortë", deklaroi Karlos Dunga. Ndërkohë,
Robinjo, që do të jetë "i vëzhguari special", thotë: "Gjithnjë kam ecur
kundër tyre, pasi u kam shënuar 6 gola". Ai do të kthehet si titullar
pas një dëmtimi në kofshë që e detyroi të qëndronte jashtë në ndeshjen
me Portugalinë. "Nuk ishte një gjë serioze, nëse do të ishte një ndeshje
decizive do të kisha sakrifikuar dhe do të kisha luajtur, - shpjegon
Robinjo. - Mjekët më ndaluan, por ndaj Kilit do të jem. Kjo është një
skuadër që më sjell fat dhe mendoj se varet shumë nga Zoti", deklaroi
braziliani.
Në kampin e Kilit besojnë se kjo është hera e duhur për të mundur një
rival të madh si Brazili. "Për mënyrën sesi po luan, nuk do të ishte
aspak normale nëse Kili mund 5 herë kampionët e botës, - deklaroi Ivan
Zamorano, ish-sulmuesi i përfaqësueses kiliane. - Ne jemi duke zhvilluar
një Botëror të mirë, kemi treguar diçka ndryshe. Kemi një skuadër që
nuk mendon të mbrohet, sulmon shumë dhe për këtë nuk është surprizë të
fitojmë ndaj Brazilit", shtoi ai. Por, Zamorano është i qartë se kush
është favoriti: "Nëse ata luajnë 5 apo 10 minuta në nivelin e tyre, mund
të shënojnë 2-3 gola", tha ai. Kilianëve megjithatë u duhet të bëjnë pa
lojtarët e skualifikuar Estrada, Medel e Ponce. Marselo Bielsa është
munduar ta fshehë formacionin në prag të takimit të sotëm, duke e ditur
se shtypi brazilian është duke u përpjekur të spiunojë. Bielsa rreshton
gjithnjë skuadrën titullare përballë rezervave në stërvitje, por dje ka
vepruar ndryshe, duke "përzier kartat". Ai ka zhvilluar një punë me
reparte të veçnta, duke ndarë mbrojtësit, mesfushorët dhe sulmuesit.
Problemi më i madh lidhet me qendrën e mbrojtjes, ku mungojnë Medel e
Ponce.