Shkup –
Kosova dhe Maqedonia kanë nënshkruar sot në Shkup një Memorandum
Mirëkuptimi, i cili i hap rrugë intensifikimit të bashkëpunimit
bilateral në sektorin e energjisë në pajtim me politikat dhe strategjitë
shtetërore.
Memorandumin e nënshkruan ministrja kosovare e
Energjisë dhe Minierave, Justina Shiroka-Pula dhe ministri i Ekonomisë
së Maqedonisë, Fatmir Besimi. Synimi i memorandumit është arritja e
furnizimit më të sigurt të energjisë për dy vendet dhe më gjerë.
“Kosova,
shteti më i ri i Ballkanit, është mjaft e interesuar ta zhvillojë me
prioritet bashkëpunimin rajonal dhe atë bilateral me vendet fqinje.
Bashkëpunimi dypalësh me Republikën e Maqedonisë është i një rëndësie te
veçante për Republikën e Kosovës”, theksoi Pula në një komunikatë.
Nga ana tij, ministri Besimi tha se ky memorandum tregon vullnetin
e dy qeverive për të thelluar bashkëpunimit në fushat përkatëse, të
cilat do të konkretizohen nga grupet punuese të dy vendeve.