Edhe
pse pritej që sot katër banorët e Sopotit të dilnin në liri, një gjë e
tillë nuk ndodhi. Gjykata Themelore e Kumanovës, ka marrë vendim të ri
me të cilin katër të dënuarve të Sopotit, Sulejman Sulejmani, Samet
Lutfiu, Hasan Klaiqi dhe Shaban Limani u cakton masën e arrestit
shtëpiak. Vendimi për këtë masë gjyqësore erdhi pasi që Prokuroria
themelore e Kumanovës kishte reaguar ndaj vendimit të Gjykatës themelore
të Kumanovës që katër të dënuarit për rastin e Sopotit të mbrohen në
liri. Në reagimin e saj, Prokuroria themelore e Kumanovës kishte kërkuar
nga Gjykata themelore në Kumanovë që për katër të dënuarit të caktojë
masën e paraburgimit. Por, pas shqyrtimit të kërkesës së Prokurorisë,
Gjykata Themelore e Kumanovës vendosi që të caktojë masë arrest shtëpiak
e jo paraburgim. Vendimi në fjalë u është dërguar edhe të burgosurve në
burgun e Idrizovës. Tani, ndaj këtij vendimi të Gjykatës, Prokuroria
Themelore në Kumanovë ka të drejtë ankese në afat prej tre ditësh. Nëse
në këtë afat kohor prokuroria nuk reagon, atëherë 4 banorët e dënuar të
Sopotit, pasi të hyjë në fuqi vendimi duhet të lëshojnë burgun e
Idrizovës dhe të kthehen pranë familjeve të tyre dhe të qëndrojnë në
arrest shtëpiak për të pritur rigjykimin që pritet të fillojë në muajin
shtator. Ndërkohë që gjatë kësaj jave, Gjykata e Apelit pritet të
vendosë për kthimin e lëndës edhe për 7 të dënuarit e tjerë për këtë
rast, Zenel Klaiqin, i cili po vuan burgun në Idrizovë dhe gjashtë
bashkëfshatarët e tij që janë dënuar në mungesë. Të mërkurën e kaluar
Gjykata Themelore në Kumanovë kishte sjellë vendim që rasti i Sopotit të
kthehet në rigjykim ndërsa sopotasit të lihen të mbrohen në
liri.(alsat-m)