Tiranë –
Policia e Tiranës arrestoi dje pasdite një person që prezantohej si
agjent i Interpolit Ndërkombëtar në Tiranë dhe bashkëpunëtoren e tij.
Burime zyrtare nga Policia e Shtetit bënë të
ditur se Drejtoria Kundër Krimit Financiar në Departamentin kundër
Krimit të Organizuar dhe Krimeve të Rënda, në bashkëpunim me njësinë e
përbashkët hetimore pranë Prokurorisë së rrethit gjyqësor Tiranë, rreth
orës 18.30 të ditës së djeshme finalizuan me sukses operacionin policor
të koduar "Agjenti i rremë", në kuadër të të cilit u bë i mundur
arrestimi i shtetasve Fatmir Fllaga, 55 vjeç, lindur dhe banues në
Tiranë dhe Adriana Ura, 26 vjeçe, lindur në Shkodër dhe banuese në
Tiranë.
Policia bëri të ditur se nga hetimet e kryera ka
rezultuar se këta shtetas, në bashkëpunim me njëri-tjetrin, duke u
prezantuar sikur përfaqësonin Zyrën e Interpolit Ndërkombëtar në
Ministrinë e Drejtësisë, kanë mashtruar rreth 100 qytetarë, të cilëve u
premtonin se do t’i punësonin si agjentë të interpolit, duke përfituar
prej tyre shuma të konsiderueshme në para. Ndërkohë viktimat e
mashtrimit të tyre i pajisnin me dokumente identifikimi dhe pasaporta
diplomatike false.
Shtetasit e mësipërm kishin krijuar
madje një staf zyre me financierë e punonjës të tjerë dhe u paraqiteshin
qytetarëve sikur financoheshin nga shtetas të huaj, me Drejtor të
Përgjithshëm një shtetas me emrin e rremë Romollo Berluskoni.
Policia
tha se finalizimi me sukses i këtij operacioni u bë i mundur pas një
hetimi 2 mujor të strukturave të Policisë së Shtetit dhe të Prokurorisë
dhe në momentin e arrestimit këtyre shtetasve iu sekuestrua një sasi e
konsiderueshme dokumentesh dhe provash materiale.