Prishtinë -
Presidenti i Kosovës,Fatmir Sejdiu, dënoi ashpër sulmin me armë zjarri
ndaj deputetit të Partisë së Pavarur Liberale në Parlamentin e Kosovës,
Petar Miletiç, para banesës së tij në pjesën veriore të Mitrovicës.
“Sulmi ndaj z. Petar Miletiç, deputet i Kuvendit
të Republikës së Kosovës dhe drejtues i Këshillit Konsultativ për
Komunitete, i cili vepron në kuadër të Zyrës së Presidentit të
Republikës, është një akt i shëmtuar kriminal, i cili drejtohet
drejtpërdrejt kundër paqes, stabilitetit, bashkëjetesës dhe të ardhmes
së përbashkët të të gjithë qytetarëve të vendit”, thuhet në deklaratën e
Presidentit Sejdiu.
“Angazhimi këmbëngulës i deputetit Miletiç
për një jetë më të mirë të gjithë qytetarëve të Kosovës pa dallim etnie e
besimi, për tolerancë, për bashkëpunim dhe mirëkuptim në mes të
gjithëve njerëzve të vullnetit të mirë ka bërë që ai të ketë respektin e
qytetarëve anekënd Kosovës, por jo edhe të atyre që nuk u përshtatet
rendi dhe ligji”, shtoi Presidenti Sejdiu.
nga ana tjetër, edhe
EULEX dënoi fuqishëm plagosjen e deputetit të Kuvendit të Kosovës, Petar
Miletiq. “EULEX kërkon kthimin e qetësisë dhe bën thirrje për sjellje
të përgjegjshme nga të gjitha palët. Përdorimi i dhunës është plotësisht
i papranueshëm. EULEX do të mbështes Policinë e Kosovës në hetimet e
tyre në gjetjen e autorëve të ngjarjes tragjike të së premtes dhe
plagosjen e deputetit. Spekulimet se cilat mund të jenë rezultatet e
këtyre hetimeve janë të padobishme. Në çdo hetim kriminal, dëshmitë
duhet të grumbullohet dhe të kontrollohen nga hetuesit dhe prokurorët me
saktësi maksime para se jepet ndonjë përfundim”, deklaroi, Karim
Limdal, zëdhënëse e EULEX-it.